Faqet e internetit që përdoren për të kërkuar punë marrin postimet e vendeve të lira të punës nga i gjithë interneti dhe i konsolidojnë ato në një vend ku mund të bëhet një kërkim. Cila nga këto faqe është e duhura për ju?
Nuk është sekret që kërkimi i punës mund të jetë tepër i lodhshëm. Ekzistojnë me qindra faqe që publikojnë vende pune, ndërsa kërkimi duke parë vende e lira të punës në faqet e kompanive kërkon shumë kohë. Motorët e kërkimit të punës e thjeshtojnë procesin duke pastruar rrjetin nga listat e faqeve të kërkimit të punës, faqet e internetit të kompanive, listat e agjencive të rekrutimeve dhe personelit, etj., duke ju lejuar të shfletoni opsionet tuaja në një ndërfaqe funksionale.
Faqet e kërkimit të punës u lejojnë punëkërkuesve të filtrojnë kërkimet e tyre me filtra si lloji i industrisë, vendndodhja, niveli i eksperiencës, me kohë të plotë/pjesshme dhe fjalë kyçe specifike, në mënyrë që të keni mundësi të gjeni me efikasitet atë që ju duhet. Shumë faqe madje ju lejojnë të krijoni një profil dhe të ngarkoni një CV, për ta pasur më të thjeshtë aplikimin. Ju gjithashtu mund të konfiguroni njoftimet e punës për rezultate të personalizuara bazuar në kriteret që vendosni.
Sigurisht, zbulimi i njoftimeve të duhura të vendeve të punës është vetëm një pjesë e ekuacionit. Një CV e rafinuar dhe e modernizuar, si dhe një faqe në LinkedIn janë thelbësore për të gjetur punën tuaj të ëndrrave. Për fat të mirë, shumë faqe të kërkimit të punës përfshijnë veçori shtesë, si: modele për CV, informacione për pagat, blogje dhe këshilla për karrierën, për ta bërë aplikimin tuaj më tërheqës për rekrutuesit.
Zbuloni dhjetë nga motorët më të mirë të kërkimit të punës që do t’ju çojnë përpara në karrierën tuaj.
ZipRecruiter – Paketa më e mirë e përgjithshme
Kjo faqe e njohur e kërkimit të punës është një nga zgjedhjet kryesore të punëkërkuesve dhe rekrutuesve. ZipRecruiter u ofron punëkërkuesve mjetet që u nevojiten për t’u punësuar. Teknologjia e sofistikuar e përputhjes nëpërmjet Inteligjencës Artificiale e thjeshtëson kërkimin e punës, duke lidhur menaxherët e punësimit në kompanitë kryesore me kandidatin e duhur – pothuajse si një rekrutues personal.
Aplikacioni i kërkimit të punës i ZipRecruiter, i renditur i pari, e bën kërkimin dhe aplikimin nga telefoni juaj tepër të thjeshtë. Njoftimet ju mbajnë të përditësuar duke ju informuar se kur është shqyrtuar aplikimi juaj, ndërsa aplikimi me një klik ju mundëson të dërgoni profilin tuaj në vende të ndryshme pune në çdo kohë dhe kudo që të jeni.
Opsioni i tij Fto për të Aplikuar është një tjetër pikë e fortë e kësaj faqeje. Duke përdorur teknologjinë e përputhjes së ZipRecruiter, ai identifikon kandidatët që janë shumë të përshtatshëm për pozicionet e hapura në një biznes dhe ua prezanton menaxherëve të punësimit. Bizneset më pas mund të ftojnë kandidatët kryesorë të aplikojnë për pozicionet e tyre. ZipRecuiter thotë se pozicionet për të cilat punëdhënësit përdorin opsionin Fto për të Aplikuar marrin 2.5 herë më shumë aplikime.
Monster
Monster është një motor i njohur i kërkimit të punës që ofron një sërë opsionesh. Pavarësisht nëse jeni duke eksploruar, duke përgatitur CV-në tuaj, duke aplikuar për punë ose duke intervistuar në mënyrë aktive, Monster ofron burime për cilëndo pjesë të udhëtimit tuaj drejt gjetjes së një vendi pune. Përveç informacioneve dhe këshillave të ekspertëve, Monster gjithashtu i jep mundësinë punëkërkuesve të fshehin CV-të e tyre nga punëdhënësit aktualë.
Indeed
Ky motor i fuqishëm i kërkimit të punës ofron akses në miliona vende pune për t’ju ndihmuar të bëni hapin tjetër në karrierën tuaj. Punëdhënësit mund të publikojnë vendet e lira të punës në Indeed drejtpërdrejt përmes postimeve të sponsorizuara që përputhen me fjalë kyçe në kërkimet tuaja. Përveç një motori të fuqishëm kërkimi pune, Indeed ofron vlerësime për kompanitë dhe informacione mbi pagat. Ngarkoni CV-në tuaj për një aplikim më të lehtë dhe ruani punët që ju interesojnë.
SimplyHired
Kërkoni mes miliona ofertave për punë sipas titullit të pozicionit, aftësive ose kompanive specifike me SimplyHired. Nëse sapo keni filluar për kërkimin tuaj të punës, SimplyHired ofron opsione të ndryshme praktike, si p.sh. një krijues falas të CV-së me më tepër se 30 modele të ndryshme, duke përfshirë shembuj të shkrimeve për karriera specifike. SimplyHired gjithashtu ofron informacion në lidhje me pagat dhe tregjet e punës në një qytet të caktuar.
Glassdoor
Glassdoor ofron më shumë se sa thjesht të dhëna për pagat dhe vlerësimet për kompanitë. Ky motor kërkimi i punës mbledh miliona njoftime nga rrjeti, të cilat përdoruesit mund t’i shfletojnë. Përdoruesi mund të filtrojë kërkimin sipas pagës, madhësisë së kompanisë, largësisë, vendndodhjes dhe më shumë. Glassdoor gjithashtu mund t’u ofrojë punëkërkuesve vlerësime të përafërta të pagave për t’i ndihmuar ata të gjejnë punën e duhur.
AngelList
AngelList është një motor kërkimi pune i specializuar që fokusohet te karriera në startup-e dhe teknologji. E vlerësuar si platforma numër 1 e punësimit për startup-et, AngelList i ndihmon njerëzit të gjejnë vende të lira kudo, nga bizneset e reja premtuese deri te gjigantët e mirënjohur të Silicon Valley. Aplikoni privatisht në mbi 130,000 vende pune në startup-e dhe në fushën e teknologjisë nëpërmjet profilit tuaj.
CareerBuilder
Kërkoni sipas aftësive, shikoni pagat dhe përfitoni nga aplikimi me një klikim nëpërmjet CareerBuilder. Ju mund të zbuloni se çfarë po kërkojnë punëdhënësit dhe të filtroni kërkimet sipas llojit të punës: me kohë të pjesshme, me kohë të plotë dhe punë të përkohshme. CareerBuilder lidh punët me fjalë kyçe në CV-në tuaj dhe ju informon se si jeni pozicionuar në krahasim me aplikantët e tjerë.
Job.com
Ky motor unik i kërkimit të punës përdor Inteligjencën Artificiale për të lidhur punëkërkuesit me kompanitë e mira. Job.com po rikrijon rekrutimin për kompanitë nëpërmjet inteligjencës artificiale, blockchain, reagimeve të shtuara dhe stimujve financiarë për punësime të reja. Nëse punësoheni përmes Job.com, do të merrni një bonus punësimi prej 5 për qind të pagës.
USAjobs.gov
Agjencitë federale përdorin USAjobs.gov për të publikuar pozicionet e lira në fusha të ndryshme. Kjo faqe zyrtare e qeverisë së SHBA rendit mundësitë e punësimit në shërbimin civil dhe lidh kandidatët e kualifikuar me punëdhënësit. USAjobs.gov ofron gjithashtu mundësi punësimi për veteranët, bashkëshortët e ushtarakëve, studentët, të diplomuarit, individët me aftësi të kufizuara dhe më shumë.
Behance
Behance thotë se është rrjeti më i madh në botë për zbulimin e punës krijuese. Nëse jeni duke kërkuar për punë të pavarur, praktika ose punë me kohë të plotë në një fushë krijuese, mund të ishte e vlefshme të kërkonit në Behance. Faqja gjithashtu ekspozon punët krijuese nga e gjithë bota për të nxitur mundësitë e krijimit të lidhjeve të reja. Bashkëpunimi me Adobe Talent është gjithashtu i dukshëm, sepse ajo mbështet punëkërkuesit në ndërtimin falas të faqeve të portofolit të tyre me Creative Cloud.
/Entrepreneur/